Tyson Fury rikthehet me fitore, mund me “KO” Sefer Seferin në raundin e katërt

Boksieri britanik Tyson Fury, ish-kampion bote në peshën e rëndë, ka fituar sot me “KO” në raundin e katërt ndaj shqiptarit Sefer Seferi, një duel me 10 raunde zhvilluar në Manchester. Kjo ishte sfida e parë pas më shumë se dy vitesh e gjysmë pushim për Fury, që rikthehet në ring me misionin për të rimarrë titujt kampionë. Dhe në këtë rinisje të aventurës, britaniku nuk zhgënjeu, duke korrur fitoren e 26-të në karrierën e tij (asnjë humbje), ndërsa Seferi pësoi humbjen e dytë (ka edhe 23 fitore). Një duel midis Davidit dhe Golias, por këtë herë nuk pati surpriza, pasi Fury fitoi pa djersitur shumë ndaj Seferit.

Për gati tri raunde, dueli është më shumë qesharak, pa shumë aksion dhe emocione, pasi Fury mendon më shumë të argëtojë fansat me veprimet e tij se sa të boksojë, sic është edhe puthja që i dha në buzë Seferit para se të niste dueli. Ndërkohë që, sfida më e bukur duket jashtë ringut, ku ka edhe rrëmujë mes turmës që ndodhet afër ringut, që tërheq edhe vëmendjen e boksierëve. Seferi tenton hera-herës të sulmojë Furyn, por është më i shkurtër dhe Fury e mban mirë larg vetes, duke kontrolluar duelin dhe lëshuar ndonjë grusht të fortë, ndërkohë që gjyqtari i fton të jenë më agresivë në ring.

Në raundin e katërt Fury nis të jetë më agresiv me grushtet e tij dhe vë në vështirësi Seferin. Edhe pse ky raund mbyllet dhe bëhet gati të nisë raundi i pestë, boksieri shqiptar vendos që të mos rikthehet më në ring, pasi nuk është më në ngjendje të duelojë dhe përballojë ritmin e forcën e Fury (u përfol se Seferi është dëmtuar). Gjyqtari ndal ndeshjen dhe Fury fiton me “KO” në raundin e katërt, duke korrur kështu suksesin e parë pas 28 muajsh pushim. “Mu duk sikur debutova edhe një herë në ring. Nuk është faji im që ai u dëmtua. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Të tjera sfida të mëdha më presin“, tha Fury.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *