LeBron dorëzohet: Golden State shumë më i fortë se vjet

Disavantazhi 0-3 me ndeshje duket se i ka humbur çdo shpresë skuadrës së Cleveland Cavaliers për të fituar titullin kampion këtë sezon në NBA. Kampionët në fuqi të Golden State Warriors janë një fitore larg titullit, që mund të vijë shumë shpejt. Edhe sfida e katërt finale e play off-it do të luhet në fushën e Cavaliers, që shpresojnë të korrin fitoren e parë në këtë seri takimesh dhe mbajnë gjallë shpresat edhe pse për LeBron James kjo do të jetë vetëm shtyrje e agonisë.

“Është e qartë që Golden State është një ekip më i kompletuar se sa i yni. Kjo është e vërteta. Kanë në formacionin bazë dë lojtarë MVP, Durant dhe Curry, ndërsa pas tyre është Klay Thompson apo edhe Draymond, mbrojtësi më i mirë dhe mjaft të tjerë që janë në stol, që bëjnë difererencën në çdo moment. Për mua, ekipi i Warriors është më i fortë se vjet”, u shpreh LeBron James në prag të finales së katërt që do të luhet nesër në mëngjes.

Më tej, ylli i Cavaliers shton: “Kemi patur një sezon me luhatje, kemi bërë shumë gabime dhe ky sezon ka qenë sa 4 së bashku për mua. Duhej të bënim më pak gabime në fushë dhe jashtë saj, të luanim në një mënyrë më inteligjente. Megjithatë, do të bëjmë maksimumin në këtë sfidë të fundit, për sa kohë mrekullitë ekzistojnë do të tentojmë ta realizojmë atë. Duhet të fitojmë për fansat tanë, që na kanë mbështetur shumë”, tha LeBron James.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *