Gjetan Keta në ring më 2 qershor, duelon ndaj ish-kampionit të botës

Më datën 2 qershor, në Mynih të Gjermanisë, do të zhvillohet dueli i boksit në peshën super të mesme midis boksierit shqiptar Mike Gjetan Keta dhe portorikanit Manny Siaca, ky i fundit një ish-kampion bote në këtë peshë (25 fitore e 8 humbje si profesionist). Një sfidë e rëndësishme për boksierin kuqezi (21 fitore e 4 humbje për Ketën në karrierë), që rikthehet në ring pas një perioudhe të gjatë, për shkak të një problemi shëndetësor. “Kam patur disa probleme shëndetësore, që më mbajtën larg ringut për pak kohë, por tashmë jam mirë dhe mjekët më kanë dhënë “OK” për të dueluar, ndaj jam sërishn gati”, tha Gjetan Keta në një intervistë për “Telesport”.

Më tej, duke folur për përgatitjen e kryer dhe gjendjen aktuale, Keta shprehet se është në formë dhe gati për sfidën e radhës në ring. “Jam përgatitur shumë mirë, madje stërvitem prej një kohe të gjatë. Personalisht mezi po e pres ditën e ndeshjes për të treguar edhe një herë vlerat e mia”, tha Keta, që ashtu si gjithnjë, një pjesë të fazës përgatitore e ka kryer në Bulqizë, vendlindjen e tij. “Jam shqiptar e jam krenar. Asnjëherë nuk e tradhëtoj vendin tim, fansat e mi, flamurin tim dhe dua t’i bëj krenarë”, thotë Gjetan Keta.

“Stërvitja në Shqipëri është si një hajmali për mua, ky vend më jep energji të jashtëzakonshme, sidomos kur stërvitem në Bulqizë. Tani shpresoj që këto energji të akumuluara t’i përdor dhe shpreh në ring”, thotë Keta, që pret edhe mbështetjen e fansave shqiptarë në Gjermani, ku do të duelojë. “Edhe në Gjermani ndihem si në shtëpinë time, aty kam shumë fansa që më kanë mbështetur gjithnjë dhe i falënderoj. Madje i pres të shumtë edhe më 2 qershor. Ata më kanë mbështetur dhe nuk dua t’i zhgënjej”, shprehet boksieri kuqezi për “Telesport”.

Në fund, duke folur për rivalin e radhës, Keta shton: “Rivali i radhës është i vështirë, i njohur në arenën ndërkombëtare, një ish-kampion bote. Por kjo nuk më tremb, jam gati dhe do të tregoj sa vlej. Ndihem më i fortë se më parë, si asnjëherë tjetër. Jam në formë dhe i kënaqur nga stërvitja që kam kryer, falë mbështetjes edhe të stafit tim. Rëndësi për mua në këtë sfidë ka fitorja dhe jo si vjen ajo, me “KO” apo me pikë”, deklaroi Gjetan Keta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *