Fury: Nuk përballem me Bellew, nuk dua t’i shkaktoj dramë familjare

Boksieri britanik Tyson Fury ka hedhur poshtë mundësinë për të zhvilluar një duel me patriotin e tij Tony Bellew, pasi u shpreh se ka frikë mos e dëmton kolegun dhe më pas do të ndihet keq për këtë gjë gjatë gjithë jetës së tij. Bellew, pas fitores me “KO” ndaj Haye dy javë më parë, e cilësoi Fury si një rival të mundshëm, si një boksier ndaj të cilit do të ndeshej me kënaqësi. Fury ka deklaruar se më datën 9 qershor do të rikthehet në ring pas dy vitesh mungesë, duel që do ta zhvillojë në Manchester.

“Të jem i sinqertë, nuk kam dëshirë të dueloj ndaj Bellew dhe arsyeja është se ai është një familjar, ka një grua dhe fëmijë dhe dua që ai të jetë i shëndetshëm, të fitoja disa parà lehtësisht dhe në fund të ditës të jetë në shtëpi. Por nëse ngjitet në ring dhe duelon ndaj meje, do të dëmtohet rëndë. Është një njeri i vogël dhe mund ta dëmtoj shumë rëndë, duke i lënë pasoja. Unë nuk jam David Haye, jam një nga më të mëdhenjtë, me një grusht të rëndë, ndërsa ai vjen nga një peshë tjetër”, tha Tyson Fury.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *